TEMA Master
Procesi i paraqitjes dhe mbrojtjes së temës së masterit (Msc) në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Prishtinës, përfshin disa hapa kryesorë:
1. Paraqitja e temës dhe aprovimi fillestar
Plotësohet formulari F1 (Paraqitja e temës) dhe nënshkruhet nga mentori.
Mentor i punimit mund të jetë mësimëdhënësi me thirrjen profesor në UP nga fusha e temës së propozuar.
Formulari F1 i protokolluar dorëzohet në shërbimin master së paku 5 ditë para mbajtjes së mbledhjes së katedrave/departamenteve.
Departamenti përkatës shqyrton formularin F1, duke propozuar edhe komisionin vlerësues (mbledhjet e departamentit/katedrave mbahen në javën e parë të çdo muaji).
Aprovimi final i formularit F1 dhe komisionit bëhet në Këshillin e Fakultetit të Ekonomisë (mbledhjet zakonisht mbahen në javën e katërt të muajit).
2. Përgatitja e temës dhe dorëzimi për mbrojtje
Pas aprovimit të temës dhe komisionit nga Këshilli (formulari F1), kandidati pranon vendimin në email nga shërbimi master dhe caktohet një afat (minimum 3 muaj pas aprovimit të F1) për përgatitjen e punimit (lexo rregulloren për studime master - nenet 9 deri 13).
Pas përfundimit të temës dhe rekomandimeve të dhënga nga komisioni, plotësohet formulari F3, i cili duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe mentori.
Pas kompletimit, formulari F3 dorëzohet në shërbimin master, pas së cilës caktohet data për mbrojtjen publike.
3. Mbrojtja publike e temës MSc
Kandidati prezanton punimin përpara komisionit vlerësues dhe publikut.
Pas mbrojtjes, komisioni vlerëson punimin dhe jep vendimin përfundimtar.
Notimi dhe vlerësimi regjistrohen në sistemin SEMS.
Shtypja e punimit final të diplomës master duhet të bëhet në të dy anët e fletës A4. Punimi duhet të jetë i shkruar duke përdorur fontin Times New Roman, me madhësi të shkronjave 12. Hapësira mes rreshtash duhet të jetë 1.5 në të gjithë dokumentin.
Informata mbi plotësimin e formularit 'F1 - Formimi i komisionit për vlerësimin e projekt propozimit të punimit të diplomës master'
Përmbajtja e Formularit F1:
Informacionet personale të kandidatit
Emri dhe mbiemri
Numri i indeksit
Programi i studimeve (p.sh., Banka dhe Financa, Menaxhment, Kontabilitet, etj.)
Të dhënat e mentorit
Emri dhe mbiemri i mentorit
Titulli akademik (p.sh., Prof. Dr., Asoc. Prof., etj.)
Titulli i temës së propozuar
Duhet të jetë i formuluar qartë dhe shkencërisht (p.sh., "Ndikimi i Informacionit Kontabël në Performancën e Bizneseve të Vogla në Kosovë").
Qëllimi i punimit
Kjo pjesë duhet të shpjegojë pse është e rëndësishme kjo temë dhe çfarë synon të arrijë ky studim. Qëllimi duhet të jetë i qartë, konkret dhe i lidhur me problemin e hulumtimit.
Çfarë të përfshijë?
Pse është e rëndësishme kjo temë?
Cilat janë objektivat kryesore të studimit?
Si do të ndihmojë ky studim në fushën akademike ose praktike?
Shembull:
"Ky studim ka për qëllim të analizojë ndikimin e dixhitalizimit në performancën financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë. Në veçanti, ai do të vlerësojë se si përdorimi i teknologjive të reja ndikon në fitimet, rritjen dhe qëndrueshmërinë e bizneseve."
Problematika e studimit
Kjo pjesë përshkruan problemin kryesor që do të trajtohet në punim. Problematika duhet të jetë e qartë dhe të identifikojë një sfidë ose çështje që kërkon zgjidhje përmes hulumtimit.
Çfarë të përfshijë?
Cila është çështja kryesore që studimi po trajton?
Pse është kjo problematike e rëndësishme për bizneset, akademinë ose shoqërinë?
Cilat janë boshllëqet ekzistuese në literaturë që ky punim do të plotësojë?
Shembull:
"Në Kosovë, shumë biznese të vogla dhe të mesme po hasin vështirësi në përshtatjen me teknologjitë e reja financiare. Megjithëse dixhitalizimi pritet të ndihmojë në rritjen e performancës, ka pak të dhëna empirike për të vërtetuar këtë efekt në tregun kosovar. Ky studim synon të mbushë këtë boshllëk duke analizuar ndikimin e dixhitalizimit në fitimet dhe rritjen e këtyre bizneseve."
Hipotezat e hulumtimit
Hipotezat janë deklarata që studiuesi teston përmes analizës së të dhënave. Ato ndahen në hipoteza zero (H₀) dhe hipoteza alternative (H₁).
Çfarë të përfshijë?
H₀ (Hipoteza zero): Nuk ka lidhje ose ndryshim domethënës midis variablave.
H₁ (Hipoteza alternative): Ekziston një lidhje ose ndryshim domethënës midis variablave.
Shembull:
H₀: "Dixhitalizimi nuk ka ndikim domethënës në performancën financiare të bizneseve të vogla në Kosovë."
H₁: "Dixhitalizimi ka një ndikim pozitiv dhe domethënës në rritjen e të ardhurave dhe performancën financiare të bizneseve të vogla në Kosovë."
Metodologjia e përdorur
Kjo pjesë përshkruan qasjen dhe metodat që do të përdoren për të realizuar studimin. Ajo duhet të tregojë se si do të mblidhen dhe analizohen të dhënat.
Çfarë të përfshijë?
Lloji i hulumtimit (sasiore, cilësore, rast studimi, etj.).
Burimet e të dhënave (anketa, intervista, të dhëna financiare, raporte, etj.).
Metodat e analizës (analiza statistikore, regresioni linear, krahasimi ndërmjet grupeve, etj.).
Shembull:
"Për këtë studim do të përdoret një qasje sasioro-cilësore. Të dhënat do të mblidhen përmes anketave me pronarë të bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë dhe do të analizohen përmes analizës statistikore dhe regresionit linear të shumëfishtë. Përveç kësaj, do të përdoren intervista me ekspertë të fushës për të marrë një perspektivë më të thellë mbi ndikimin e dixhitalizimit në performancën e bizneseve."
Literatura e parë referuese
Disa burime të rëndësishme që do të përdoren për hulumtimin.
Deklarata e mentorit
Mentori konfirmon se pajtohet me temën dhe është dakord ta udhëheqë studentin gjatë punimit të masterit.
Nënshkrimi i kandidatit dhe mentorit
Duhet të nënshkruhet nga të dy për t'u dorëzuar më pas në shërbimin master.
Hapat pas dorëzimit të F1:
Formulari shqyrtohet nga departamenti përkatës dhe më pas nga Këshilli i Fakultetit.
Pasi miratohet, kandidatit i caktohet komisioni vlerësues dhe fillon përgatitja e punimit.
Shtypja e punimit final të diplomës master duhet të bëhet në të dy anët e fletës A4. Punimi duhet të jetë i shkruar duke përdorur fontin Times New Roman, me madhësi të shkronjave 12. Hapësira mes rreshtash duhet të jetë 1.5 në të gjithë dokumentin.
1) Rregullore për studime master (UP - 2023)
2) Formulari F1 (word) - Formimi i Komisionit për vlerësimin e projekt propozimit të punimit të diplomës master:
3) Lista e kapitujve dhe elementeve tjera të një punimi të nivelit master (draft tabela e përmbajtjes):
4) Udhëzues për temën e diplomës master - Universiteti i Prishtinës:
Zhvillimi i hipotezave gjatë një punimi të nivelit MASTER:
Të nderuar studentë të studimeve Master (Msc),
Gjatë fazës së realizimin të një projekti shkencor (p.sh., temës së masterit), zhvillimi i hipotezave është një hap shumë i rëndësishëm. Një hipotezë është një supozim në lidhje me marrëdhënien ndërmjet variablave (ndryshoreve) që testohet përmes mbledhjes dhe analizës së të dhënave. Hipotezat shërbejnë si një udhëdhëzues për punimin tuaj të masterit.
Në vijim janë listuar pesë (5) hapa të cilët janë të domosdoshme gjatë zhvillimit të hipotezave të hulumtimit tuaj (p.sh., punimi i masterit).
1. Identifikimi i problemit subjekt hulumtimi: hapi i parë në formulimin e një hipoteze është të identifikoni qartë problemin që dëshironi ta studioni.
2. Rishikimi i literaturës: Pasi të keni identifikuar problemin e hulumtimit, është e rëndësishme të rishikoni literaturën ekzistuese (hulumtimet e realizuara dhe publikuara nga autorë të ndryshëm) për të kuptuar më thellë çdo teori apo edhe hipotezë ekzistuese në lidhje me punimin tuaj. Kjo mund t'ju ndihmojë të përsosni pyetjet tuaja kërkimore dhe të formuloni hipotezën apo hipotezat tuaja.
3. Formuloni një apo disa hipoteza zero (H0): Hipoteza zero thotë se nuk ka asnjë lidhje midis variablave (ndryshoreve) që po studijoni në punimin tuaj. Zakonisht shprehet në formën negative "Nuk ka dallim/lidhje domethënëse midis variablave të pavarura X dhe variablës së varur Y". Për shembull, "Nuk ka asnjë lidhje të rëndësishme (domethënëse) midis madhësisë së bankës dhe cilësisë së kredive."
4. Formuloni një apo disa hipoteza alternative (H1): Hipoteza alternative është e kundërta e hipotezës zero dhe thotë se ekziston një marrëdhënie midis variablave (ndryshoreve) që po hulumtoni. Zakonisht shprehet në formën pozitive "Ka një ndryshim/lidhje domethënëse midis variablave të pavarura X dhe variablës së varur Y". Për shembull, "Ka një lidhje të rëndësishme (domethënëse) midis madhësisë së bankës dhe performancës kreditore”.
5. Shkruani hipotezën tuaj: Shkruani hipotezat tuaja zero dhe alternative në mënyrë të kjartë, duke u siguruar që ato të mund të testohen nëpërmjet modeleve të ndryshme ekonometrike.
Në vijim po listojmë dy shembuj të hipotezave nga fusha Banka/Financa/Kontabilitet:
1. Në një hulumtim shkencorë mbi marrëdhënien ndërmjet përgjegjësisë sociale të korporatave (PSK/CSR) dhe performancës financiare (PF) në banka, hipoteza zero mund të jetë "H0: Nuk ekziston një marrëdhënie pozitive domethënëse midis përgjegjësisë sociale dhe performancës financiare në banka". Hipoteza alternative mund të jetë "H1: Ekziston një marrëdhënie pozitive domethënëse midis përgjegjësisë sociale dhe performancës financiare në banka".
2. Në një studim mbi marrëdhënien ndërmjet auditimit të jashtëm dhe cilësisë së raportimit financiar, hipoteza zero mund të jetë "H0: Nuk ka asnjë lidhje të rëndësishme (domethënëse) midis auditimit të jashtëm dhe cilësisë së raportimit financiar". Hipoteza alternative mund të jetë "H1: Ekziston një lidhje pozitive domethënëse (e rëndësishme) midis auditimit të jashtëm dhe cilësisë së raportimit financiar".
Duhet potencuar se hipotezat nuk janë pohime të fakteve, por parashikime që do të testohen përmes mbledhjes dhe analizës së të dhënave, duke aplikuar metoda të ndryshme ekonometrike. Nëse të dhënat mbështesin hipotezën alternative (H1), ato mund të ofrojnë dëshmi për një marrëdhënie midis variablave subjekt hulumtimi. Nëse të dhënat mbështesin hipotezën zero (H0), mund të tregojë se nuk ka asnjë lidhje midis variablave që janë subjekt hulumtimi.
ANDAJ, zhvillimi i H0 dhe H1 të kjartë dhe të testueshme është një hap i rëndësishëm në realizimin e suksesshëm të një teze Masteri.
Prof.ass.dr. Arbër HOTI, CA, CIA, KC
Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Prishtinës
Email: arber.hoti@uni-pr.edu, Profili - UP
Certified Auditor (CA)
Certified Internal Auditor (CIA)
Certified Accountant (KC)